Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, edhe njëherë tjetër ka kritikuar vendet e zhvilluara, të cilat nuk strehuan 160 afganë që organi më i lartë qeverisës i futbollit botëror kishte arritur t’i nxirrte nga Afgani.

Në një konferencë për shtyp, kreu i FIFA-s, deklaroi se vetëm Shqipëria i hapi dyert. Vetë Kryeministri Edi Rama ka postuar këtë video të Infantino-s.

“Falë ndihmës së Katarit ne ishim në gjendje të shpëtonim më shumë se 160 vajza dhe gra. Pjesa më e madhe nga Afganistani në Katar. Ne e bëmë këtë, pasi na u premtua nga shumë vende në botën perëndimore përpara se t’i nxirrnim ato se ata, natyrisht që do t’i mikprisnin ato. 160 dhe jo 1600 apo 16.000.

Unë besoj se neve na u premtua kjo sepse ata besonin se ne nuk do të ishim në gjendje t’i nxirrnim jashtë vendit. Por sapo i nxorëm jashtë vendit falë ndihmës së Katarit, ne i sollëm në Doha dhe ata qëndruan në një nga komplekset që u ndërtuan për Kupën e Botës. Të gjitha vendet europiane dhe shtetet amerikane, shtetet e Amerikës së Veriut mbyllën dyert.

‘Ah më falni, nuk mundemi’, thonin. I vetmi vend që tha, mirë sillini këtu, se ne e dimë çfarë do të thotë të vuash dhe të ikësh nga vendi yt, ishte Shqipëria dhe miku im Edi Rama tha:

‘Janë të mirëpritur këtu, në Shqipëri. Ku mund të ndërtojnë një të ardhme’. Kështu Shqipëria hapi dyert, nga të gjitha vendet, Shqipëria u hapi dyert refugjatëve afganë që duhej të iknin sepse ata luanin futboll në Afganistan.”, ishin fjalët e Infantinos.