Tjetër fitore në kampionat për Vllazninë e futbollit të femrave dhe ky ekip është edhe një hap më afër fitimit të titullit të rradhës kampion.

Në takimin e javës së 11-të të kampionatit, vajzat kuqeblu kanë luajtur paraditen e së mërkurës në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe kanë patur përballë ekipin tjetër shkodran, atë të Akademisë Ajaks. Në fund të 90 minutëshit të drejtuar nga arbitrja shkodrane Soada Tushaj, Vllaznia ka fituar me rezultatin e thellë 7-1.

Takimi është zhbllokuar nga goli i sulmueses Lufo ndërsa më pas ka qenë e zakonshmja Megi Doçi që ka dyfishuar shifrat, ndërsa i treti ka patur për autore, futbollisten e talentuar 14 vjeçare Klaudia Borci. Pjesa e parë e takimit është mbyllur me rezultatin 3-0 në favor të vajzave të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka.

Në fillimin e së dytës, ka qenë Doçi që brenda dy minutave të para ka shënuar edhe dy gola të tjerë dhe më pas, topin e kanë dërguar në rrjetën e portës kundërshtare sërish Doçi por edhe Franja. Në minutën e 64-të do të vinte goli i vetëm për ekipin e Akademisë Ajaks, shënuar nga Tukaj dhe perfundimisht 7-1 per Vllaznine.

Pas fitores së sotme, Vllaznia e femrave kryeson renditjen me pikë të plota- 33, duke qenë pesë pikë përpara Apolonisë së vendit të dytë. Ekipi kuqeblu në këtë mënyrë ecën i sigurtë drejt titullit të shtatë kampion rradhazi, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në fund të kampionatit.