Skuadra e Vllaznisë ka bërë një paraqitje të mirë në ditën e dytë të Kupës së Federatës, këtë sezon me emrin “Juxhin Guza”, ish-volejbollisti i Teutës që u vra tragjikisht. Shkodranët kanë luajtur takimin e dytë me ekipin kosovar të Therandës, skuadra e Suharekës së dikurshme, me rezultatin 3-0. Kuqeblutë kanë dominuar krejtësisht ndaj Therandës duke fituar pa probleme. Në këtë mënyrë Vllaznia me këtë fitore bën një renditje pozitive në Kupën e Federatës. Loja ndaj Therandës vetëm në setin e parë është rivalizuese. Shkodranët kanë fituar me vetëm 2 pikë diferencë në setin e parë në setet 25-23. Më pas Vllaznia nuk e ka të vështirë të arrijë fitoren. Ekipi që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja administron krejtësisht sfidën. Në setin e dytë kuqeblutë fitojnë me 15 pikë diferencë në shifrat 25-10. Edhe në setin e tretë loja flet për skuadrën shqiptare e cila fiton sërish kësaj here në shifrat 25-17 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-0. Ndërkohë që dy ditë më parë Vllaznia u mund nga Teuta 3-0 duke mos e nisur pozitivisht Kupën e Federatës “Juxhin Guza”. Shkodranët rekuperojnë në takimin e dytë duke marrë një fitore ndaj Therandës që e bën që të marrë një rendtije të kënaqshme në Kupë. Finalja do të luhet mes kampionëve vendas të Teutës dhe skuadrës nënkampione në fuqi Studentit. Sa i përket Vllaznisë, ndeshjet e Kupës shërbejnë si një parapërgatitje e mirë për Kampionatin e ri që pritet të nisë me 15 tetor. Trajneri Kalaja në përballjet e Kupës ka parë gjëndjen e volejbollistëve në prag të sezonit të ri. Shkodranët kërkojnë një paraqitje të mirë edhe në Kampion për të qenë sërish pretendente për fitimin e trofeut.