Sot janë larguar nga Vllaznia dy basketbollistë. Bëhet fjalë për Fatjon Taraboshin dhe Erjon Llazanin të cilët ditën e enjte kanë prishur kontratën me “Sport Klub Vllaznia” për tu larguar drejt Durrësit e për t’u bashkuar me Teutën vendase. Të dy këta basketbollistë dobësojnë ndjeshëm ekipin e Vllaznisë. Taraboshi në merkaton e verës erdhi nga Teuta tek Vllaznia. Shtatlarti zhvilloi fazën përgatitore në Shkodër dhe më pas në shtator firmosi edhe kontratën me Vllazninë. Kur u duk se ai do të ishte i gatshëm për ta nisur sezonin me kuqeblutë, në prag të fillimit të kampionatit durrsakët kontaktojnë sërish duke i ofruar një kontratë më të mirë se në Shkodër, gjë e cila ka bërë që Taraboshi të shkëpusë marrëdhëniet me Vllazninë e të pranojë të jetë edhe për këtë sezon basketbollist i Teutës. Thuajse e njëjta situatë është edhe me Llazanin. Shkodrani sëfundmi para ardhjes në Shkodër ka qenë pjesë e Universitetit Amerikan të Tiranës. Nga atje u bashkua me Vllazninë. Nisi seancat stërvitore me këtë skuadër dhe ashtu si gjithë të tjerët gjatë shtatorit pranoi të hidhte firmën për Vllazninë. Por oferta për të nga Durrësi vjen përnjëherësh. Llazanit i ofrohet një kontratë më e mirë dhe ashtu si Taraboshi ditën e enjte ka prishur marrëdheniet me “Sport Klub Vllaznia” duke pranuar të jetë pjesë e Teutës. Të dy basketbollistët Taraboshi e Llazani për prishjen e njëanshme të kontratës kanë paguar gjobën prej 1.5 milionë lekësh të vjetra në Klubin shumësportesh dhe më pas kanë qenë të lirë. Largimi i tyre sjell sërish probleme për Vllazninë e trajnerit Bledar Gjeçaj.