Opinion nga EDUARD ILNICA

Në kushte të tjera, flasim gjithmonë sa i përket klasifikimit, ndoshta barazimi mes Vllaznisë dhe Flamurtarit do të ishte rezultati më i drejtë i mundshëm dhe asnjëra palë nuk do të mërzitej. Por duke parë barazimin e djeshëm, edhe pse rezultati ishte 0-3 për Flamurtarin për një moment dhe një pikë do të cilësohej me vlerë për shkodranët (kanë merita të padiskutueshme, që gjetën forca dhe i shënuan tre gola ekipit pretendent), nuk vlejti aspak.

Të dyja skuadrat mbetën në vendnumëro, të dyja skuadrat nuk përfituan as nga humbja e Tiranës, duke qenë se kryeqytetasit janë rivalët më të fortë. Të kuptohemi, po flasim për vendin e dytë dhe të drejtë, pasi pjesën e “tortës së madhe”, pra titullin, e ka rrëmbyer Skënderbeu, që pas rezultateve të djeshme, ka bërë edhe një hap tjetër drejt finishit. Dikush do të thotë, po Teuta, Kukësi, Bylisi dhe Laçi, nuk janë të aftë të rivalizojnë Skënderbeun, kur në renditje janë më mirë se Vllaznia, Flamurtari dhe Tirana? Jo, për disa arsye, që kërkojnë shtjellim të gjatë dhe që ndoshta i kemi përmendur. Luftohet për vendin e dytë, të tretë, pse jo, edhe për të katërtin, dhe këtu mund të luftojë qoftë Kukësi, Teuta, Bylisi, Laçi, por edhe Besa.
Spektakli i djeshëm në Shkodër kënaqi besoj të gjithë ata që e ndoqën takimin, madje edhe tifozët e pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”. Gjashtë gola të shënuar, shtyllë, tension ndonjëherë, kartonë të verdhë, sulme dhe kundërsulme, ashtu siç dinë të dhurojnë këto dy shkolla futbolli në vendin tonë, ndër më të mirat natyrisht. Por pasi mbaroi ndeshja dhe tifozët filluan të bëjnë llogari, kanë rrudhur “buzët”, pasi nuk vlen aq shumë. Ishte thjesht një pikë morali, ose më mirë një pikë sakrifice dhe mundi për lojën e zhvilluar në pjesën e dytë nga kuqeblutë. Natyrisht që më të pakënaqur akoma kanë qenë vlonjatët, të cilët as vetë nuk kanë besuar që për pak sekonda në limitin e ndeshjes t’u ikte kjo fitore, e cila, nëse ndodhte, sot do të flisnim ndryshe, teksa do të shkruanim: “Kuqezinjtë, sot sytë nga Gjirokastra”. Të pakënaqur, thjesht nga rezultati e jo loja, kanë mbetur edhe specialistët, analistët dhe gazetarët, sepse duke dashur që të ketë rivalitet më shumë në një garë, shohin që një pikë nuk i bën as Vllaznisë dhe as Flamurtarit. Të gjithë tashmë shohin dy ekipe pretendente që dalin jashtë loje dhe rezultati i djeshëm thuajse e vulos. Vetëm ndonjë mrekulli mund të përmbysë gjërat, gjë që në kampionatin shqiptar thuajse s’ka ndodhur të rikuperohen 11 apo më shumë pikë. Dy skuadra që e nisën me pretendime sezonin, ku sidomos vlonjatët, kanë zhgënjyer. E tashmë rrezikojnë edhe vendin e dytë apo të tretë. Por nëse Flamurtari ka edhe një shans, qoftë për trofe, qoftë për Europën, pasi është pjesëmarrës në Kupën e Shqipërisë, Vllaznia, siç duket, është dorëzuar nga të dy frontet.
I vetmi që në fund të ndeshjes së djeshme mes Vllaznisë dhe Flamurtarit është kënaqur më shumë se çdo njeri tjetër ka qenë trajneri i ekipit shkodran, Shpëtim Duro. Në pamje të parë, dukej sikur ai ishte i mërzitur, por me një pikë të marrë përballë Flamurtarit dhe me atë përmbysje që bëri Vllaznia, Duro shpëton nga akuzat e forta dhe shpëton sërish stolin, jetëgjatësinë e qëndrimit, pavarësisht se ai vijon të qëndrojë në “fije të perit”. I dyti që ka qenë i kënaqur, pse jo, edhe më shumë se trajneri i tij, është Kastriot Rexha. Kjo jo vetëm për dopietën e realizuar, por edhe sepse emri i tij në Shkodër po lakohej si i pari që do të largohej nga Vllaznia. Por nëse dy janë kënaqur, të gjithë të tjerët janë zhgënjyer, sidomos kolegu i Duros, spanjolli Hulian Rubio, që në fund të ndeshjes nuk e besonte që la dy pikë. Duket se fati i sezonit të vjetshëm, teksa fitonte disa takime në krye të Tiranës në limitet e ndeshjes, i është kthyer kundër, ai mundet pikërisht “in-extremis”. Si përfundim, një garë e fortë sportive, pa Vllazninë dhe Flamurtarin që pretendojnë, duket sikur nuk ka kuptim. Kjo ndoshta është arsyeja që edhe mua nuk më kënaqi ky barazim, pavarësisht nga loja e bukur dhe me gola.