Mbrëmjen e sotme, Vllaznia e femrave do të dorëzojë në UEFA listën përfundimtare të ekipit për pjesmarrjen në edicionin e sivjetëm të “UEFA Women’s Champions League” sepse është afati përfundimtar për këtë gjë.

Dhe pikërisht në limite, presidenti Lazer Matija ka bërë një tjetër goditje në merkato duke marrë edhe një sulmues. “Shkodra Sport” mëson se bëhet fjalë për Hunter Ashlyn More e cila është pjesë e kombëtares së Izraelit.

Ajo është vetëm 21 vjeçe dhe të dhënat duken të mira, megjithatë në kampin shkodran nuk duan të nguten për aftësitë e saj. Hunter More prej disa vitesh ka luajtur në futbollin amerikan pasi ka qenë me studime atje.

Lojtarja izraelite që ka edhe pasaportë amerikane, pritet të mbërrijë në Shkodër pas dy ditësh për t’u vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit Lika për ndeshjet e 6 dhe 9 shtator.

Siç kemi bërë të ditur, në këto dy data do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ndeshjet e Grupit 7 të turit të parë të Champions League me pjesmarrjen e katër ekipeve kampione të Shqipërisë, Kosovës, Islandës dhe Turqisë. Dhe Vllaznia padyshim që synon zënien e vendit të parë dhe kualifikimin në 32-shen e Europës./SHKODRA-SPORT.COM/