
Madje, pak minuta më parë, Klubi Vllaznia përmes një postimi në faqen e tij zyrtare ka falenderuar FSHF për mënyrën e përzgjedhjes së këtyre arbitrave dhe po ashtu edhe treshen e arbitrave të cilët nuk u ndikuan nga presioni i lojtarëve dhe i stafeve të të dy skuadrave por vendosën drejtësi në fushën e lojës. Ja reagimi i plotë i klubit kuqeblu:
“Paraditen e djeshme, KF Vllaznia ka ngritur shqetësimin në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së treshes së arbitrave italianë që do të drejtonin ndeshjen Vllaznia- Tirana, por në fakt, tashmë në qetësi të plotë, mendojmë se mënyra si ka vepruar FSHF ka qenë ajo e duhura për të shmanguar edhe presionin e madh që ekzistonte tek arbitrat shqiptarë. Duke kuptuar përgjegjësinë e madhe të këtij institucioni në këtë fundkampionati, na rezulton se ishte vendimi i duhur dhe për më tepër, i pakontestuar nga anjëri ekip pasi arbitrat italianë nuk ndikuan në rezultatin e ndeshjes, përkundrazi ndihmuan në mbarëvajtjen e saj duke shmangur edhe tensionin e krijuar tek futbollistët dhe stafet e të dy ekipeve.Klubi jonë njëkohësisht falenderon edhe arbitrin italian Paolo Maxoleni dhe asistentët e tij për mënyrën e menaxhimit të ndeshjes duke mos ndikuar aspak në fatin e saj. Mbase, ai duhet të jetë një shembull edhe për arbitrat tanë dhe kjo me shumë mundësi do të jetë një mësim për ta”.