Polemikat për gjykimin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, e luajtur më 31 mars në “Elbasan Arena”, por edhe polemikat e fundit të Vllaznisë për golin e Teutës javën që kaloi, e kanë vendosur në një siklet të madh FSHF për caktimin e gjyqtarëve, në prag të sfidës së raundit të 30-të të Abissnet Superiore, që do të luhet nesër në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në fakt, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se sektori i gjykimit, duke parë rëndësinë e takimit, ka menduar që të sjellë në Shkodër, vetëm gjyqtarë që kanë stemën e FIFA, ashtu si në sfidën e kthimit ndaj Partizanit, që u luajt në “Loro Boriçi”.

Tre nga favoritët janë Juxhin Xhaja, Enea Jorgji dhe Eldorjan Hamiti, duke qenë se këta janë të vetmit në Shqipëri me stemën e FIFA. Në fakt, Jorgji dhe Hamiti mund të “digjen” nga mundësia për të arbitruar Vllaznia-Partizani, pasi të dy këta gjyqtarë janë kontestuar fuqishëm nga drejtuesit e të dy ekipeve.

Kështu, gjasat që Jorgji ose edhe Hamiti të gjykojnë nesër në Shkodër, janë shumë të pakta edhe prej precedenteve të kaluara, si nga Jorgji, ashtu edhe nga Hamiti. Ndoshta, mund të jetë Xhaja, si në ndeshjen e Kupës, por nuk përjashtohet të jetë edhe Florjan Lata, edhe pse ky nuk e ka stemën e FIFA.

Kështu, sektori i gjykimit është në siklet për emrin e kryesorit, që do të jetë nesër në fushë për të vendosur drejtësi. Ka më pak se një muaj që goli i anuluar i Aralicës në fundin e lojës në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, shkaktoi polemika të mëdha, prandaj edhe FSHF kërkon të caktojë një emër, që ka edhe konsensusin e të dyja klubeve.

Megjithatë, mbetet për t’u parë deri pak orë para ndeshjes se kush do të jetë gjyqtar kryesor për ndeshjen e nesërme dhe në fund të sfidës të mos ketë kontestime nga asnjëri prej ekipeve.
Maringlen ZHIVANI