Stadiumi “Loro Boriçi” do të presë nesër një ndeshje të madhe të futbollit shqiptar, Vllaznia-Partizani. Nga njëra anë, Vllaznia e kërcënuar për synimin e Europës nga kampionati, i duhet të sigurojë me patjetër pikët që t’i afrohet vendit të tretë, ndërsa Partizani i sotshëm është larg shkëlqimit të sezoneve të tjera dhe si objektiv kryesor ka sigurimin e Europës, që mund ta sigurojë vetëm nga kampionati, pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë.
Në Shkodër, pak nga pak, trajneri Elvis Plori ka futur skuadrën në idetë e tij dhe tani i duhet të fitojë ndeshjen përballë Partizanit, në takimin e raundit të 30-të të Abissnet Superiore.
Nga sa është parë, Vllaznia ka fituar besim se do ia dalë dhe realisht besohet në një fitore nesër. Ish-ët e mëdhenj të sfidës, janë Esin Hakaj nga Vllaznia dhe Herald Marku nga Partizani, teksa mund të përbëjnë një kërcënim më tepër për ambiciet e ekipeve të tyre.
Si shkodranët, ashtu edhe të kuqtë e kryeqytetit synojnë të dalin me fitore nga kjo sfidë, megjithatë minimalisht edhe barazimi mund t’i shërbejë ekipit të Vllaznisë, për të mos lënë Partizanin të largohet me pikë në renditje.
Megjithatë, në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:45, pritet të shikojmë një sfidë interesante dhe shumë të luftuar nga të dyja skuadrat, si nga Vllaznia, ashtu edhe nga Partizani. Me pak fjalë, një “finale” për Europën…
Maringlen ZHIVANI