Vllaznia e volejbollit të femrave ka bërë realitet edhe blerjen e tretë gjatë merkatos së ditëve të fundit. Kështu, pas zyrtarizimit të brazilianes Karioka dhe kolumbianes Perez, ditën e djeshme është mbyllur gjithçka edhe me mbylljen e marrëveshjes dhe federimin edhe të volejbollistes serbe Aleksandra Joçiç.

Kemi të bëjmë me një lojtare 28 vjeçare, e gjatë 1 metër e 95 centimetra dhe që luan në pozicionin e diagonalistes. Ajo kohët e fundit ka luajtur në Qipro, por më përpara, përveçse në Serbi, ka luajtur edhe në Turqi e Poloni teksa ka fituar edhe trofe.

Konsiderohet një përforcim shumë I rëndësishëm për ekipin shkodran dhe në këtë mënyrë, premtimet e trajnerit Lisha për të sjellë në skuadër tre lojtare cilësore, tashmë janë bërë realitet dhe pritet vetëm që të shohim frutet e suksesit.

Ndërkohë kampionati I femrave starton nesër me ndeshjet e para të këtij viti. Ekipi shkodran do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Tiranën vendase dhe kjo ndeshje do të shënojë edhe debutimin e tre lojtareve të huaja me fanellën e Vllaznisë.

Kuptohet që me ta në përbërje, trajnerët Lisha e Kalaja do të kërkojnë fitoren që në këtë takim të parë dhe padyshim që do të vijojnë edhe më tej në këtë rrugë sepse tashmë ekipi ka objektiva serioze. Me tre blerjet e bëra, Vllaznia e volejbollit të femrave do të kërkojë titullin kampion këtë sezon.

Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë për të rivalizuar me ekipe si Partizani, Mirdita e Barleti Volej, por shkodranet do ta tentojnë këtë gjë deri në fund.