Pas dhjetë ditësh lodhje, futbollistët e Vllaznisë sot kanë të gjithë të drejtën të pushojnë. Fakti që nuk do të luhet ndeshja e planifikuar me Lushnjën (e cila u shty për javën tjetër), i ka dhënë mundësinë trajnerit Gjoka që t’i lërë të paktën një ditë pushim lojtarët e tij. Ata gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit kanë zhvilluar një stërvitje intensive dhe pa pushuar për asnjë moment.

Madje, ata kanë qenë në stërvitje edhe të dielën që shkoi sepse për stafin teknik nuk kishte kohë për të humbur. Por sot do të jetë ndryshe dhe futbollistët janë dukur të kënaqur për këtë. Gjithsesi do të jetë vetëm një ditë pushim sepse nga nesër do të jenë sërish në fushën e stërvitjes për t’u bërë gati për takimin e së dielës ndaj Teutës. Ky është një ballafaqim shumë i rëndësishëm në të cilin duhen marrë patjetër pikë ashtu siç bënë edhe durrsakët në fazën e parë të kampionatit kur fituan brenda në Shkodër me rezultatin 1-0 me golin e Çyrbjes.

© shkodrasport.com