Opinion nga Roland Çomo

Vllaznia mori 3 pikët në ndeshjen ndaj Dinamos por nuk tregoi aspak diferencë në fushën e lojës me një ekip të pamotivuar siç është Dinamo e këtij viti. Biles, pjesën e parë Dinamo tregoi se ka një futboll të këndshëm dhe nuk e meriton aspak vendin që ka në tabelën e klasifikimit.

Ajo e qarkulloi topin dhe rrezikoi më shumë se Vllaznia. Por fakti që ata janë të pamotivuar, bëri që Vllaznia të mos dalë e turpëruar nga “Loro Boriçi”. Për emrin që ka Vllaznia dhe pretendimet se ku duhet të jetë ajo, me këto rezultate ky sezon deri tani konsiderohet i dështuar. Të mos harrojmë se mundësitë për lojtarë cilësor në merkaton e janarit, pak shanse ka ose aspak dhe me realitetin që ekziston në Superligë, javët në vazhdim bëhen edhe më të vështira pasi skuadrat që janë për mbijetesë, në fushat e tyre pikët bëhen gati mision i pamundur për t’u marrë. Që do të thotë se edhe javën e ardhshme në Peqin, Vllaznia do ta ketë shumë të vështirë, aq më tepër me lojën që zhvilloi ndaj Dinamos.