Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj është mundur me 30 pikë diferencë nga Tirana në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. Shkodranët e trajnerit Bledar Gjeçaj nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë ndaj ekipit më të mirë të vendit. Vllaznia ka rivalizuar vetëm në 10 minutat e para të ndeshjes që janë fituar nga tiranasit 17-14.

Pas kësaj periode, miqtë kanë ardhur duke e thelluar rezultatin dhe për rrjedhojë, perioda e dytë fitohet 25-19 nga ata, edhe e treta 21-13 dhe diferenca më e madhe ka qenë në të katërtën kur Tirana ka fituar 23-10. Në këtë mënyrë krejt takimi është mbyllur në shifrat 86-56. Me këtë humbje, Vllaznia pas javës së pestë të kampionatit, ka arritur të sigurojë tre fitore dhe dy humbje, pikërisht ndaj dy ekipeve më të mira të vendit, Tiranës dhe Kamza Basket. Ndërkohë edhe ekipi i femrave të Vllaznisë ka luajtur ndaj Tiranës por jo në Shkodër. Ndeshja është luajtur dje në kryeqytet dhe po ashtu, edhe ajo është fituar nga vajzat bardheblu në shifrat 93-69. Vllaznia për femra ndodhet në vendin e pestë të renditjes me 6 pikë të grumbulluara.

shkodrasport.com

Nga ndeshja e sotme Vlllaznia- Tirana 56-86