Ishte menduar që këtë fundjavë ekipi i Vllaznisë të zhvillonte ndonjë ndeshje miqësore, por nuk do të ndodhë kështu. Edhe takimi i menduar për t’u luajtur ndaj Kastriotit, nuk do të bëhet ngaqë krutanët kanë planifikuar tjetër kundërshtar.

Në këto rrethana kuqeblutë do të vijojnë me procesin e zakonshëm stërvitor. Edhe ditën e premte ata janë stërvitur në një ambjent të mbyllur ndërkohë që trajnerin Lika e ka lënë skuadrën pushim për të shtunën.

Arsyeja është se do ta nxjerrë në stërvitje të dielën, duke shpresuar edhe në përmirësimin e kushteve atmosferike në mënyrë që ekipi të rikthehet në stërvitje sërish në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Nëse ndodh kështu, të dielën mund të ketë një ndeshje kontrolli brenda-përbrenda ekipit por ndeshje miqësore me ndonjë kundërshtar tjetër nuk do të ketë. Të paktën deri për ndeshjen e së mërkurës për kupë me Kamzën, ndeshje kjo që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.
© shkodrasport.com