Vllaznia në volejboll për meshkuj, pasi ka mundur Teutën tre ditë më parë në Durrës, arrin një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat. Këtë herë ka mundur një tjetër ekip rival- Tiranë dhe sërish Brenda në fushën e kësaj të fundit. Rezultati përfundimtar i takimit të luajtur në “Asllan Rusi” ka qenë 3-2 për volejbollisët shkodranë. Ata ndonëse pa malazezin Tatar me një gjendje shëndetësore jo të mirë, ia kanë dalë të fitojnë setin e parë me shifrat 25 me 21.Djemtë e trajnerit Kalaja kanë luajtur sërish mirë dhe kanë fituar edhe setin e dytë me të njëjtin rezultat.

U krijua përshtypja se takimi do të mbyllej 3-0 por nuk do të ndodhte kështu. Volejbollistët tiranas do ta përmirësonin ndjeshëm lojën e tyre në setin e tretë që do ta fitonin me rezultatin e thellë 25 me 10 dhe po ashtu edhe të katërtin 25 me 15 duke e çuar takimin me set final. Në këtë të fundit, kanë qenë miqtë nga Shkodra ata që kanë dominuar duke fituar me rezultatin e thellë 15 me 7 dhe krejt ndeshjen me shifrat 3-2.Një fitore me shumë vlera për Vllazninë e cila vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje duke treguar se do të jetë rivalja e vetme ndoshta e Studentit në garën për titullin kampion. Me fitoren e djeshme ekipi shkodran ka forcuar pozitat e saj në renditje dhe natyrisht që tashmë në rradhët e pjestarëve të tij ka më shumë besim për arritjen e objektivit madhor, sjelljen në Shkodër të titullit të parë kampion për këtë ekip.

 

© shkodrasport.com