Basketbollistët e Vllaznisë e kanë fituar edhe ndeshjen e pestë. Atë të luajtur pasditen e sotme në “Qazim Dervishi” ndaj ekipit të UAT-së. Rezultati i fiksuar në fund të 40 minutave të lojës ka qenë 82-58. Në fakt pritej kjo fitore nisur edhe nga diferencat e mëdha që kanë dy ekipet. Por në dy periodat e para, Vllaznia nuk ka luajtur mirë. Ndoshta tek sportistët e saj janë vërejtur shenja euforie dhe kjo i ka penguar të dalin në lojën e tyre. 10 minutëshi i parë është mbyllur 20-18 dhe po ashtu edhe i dyti me vetëm dy pikë diferencë, 15-13. Skuadra kanë shkuar në pushim me vetëm 4 pikë diferencë në favor të Vllaznisë. Por vetëm kaq. Në periodën e tretë gjithçka do të fillojë të flasë për kuqeblutë të cilët kanë fituar 21-13 dhe të katërtën në shifrat 26-14 duke e mbyllur krejt ndeshjen kësisoj në shifrat 82-58. Me fitoren e sotme shkon në pesë numri i fitoreve për Vllazninë në po aq ndeshje të luajtur megjithatë sfida kryesore për këtë ekip është ajo që do luajë në Tiranë fundjavën që vjen ndaj kampionëve në fuqi të Kamza Basket. Do jetë kjo ndeshje ajo që do fiksojë edhe skuadrën e vendit të parë.
© shkodrasport.com