Volejbollistët e Vllaznisë pasditen e sotme kanë arritur të fitojnë ndeshjen gjysmëfinale të “Kupës së Flamurit” që po zhvillohet në Kërçovë të Maqedonisë dhe në këtë mënyrë kanë arritur të sigurojnë daljen në finalen e këtij turneu ndërkombëtar. Përballë shkodranë sot kanë qenë kampionët e Kosovës, pikërisht ekipi Lutoben i Ferizajt. Megjithatë, djemtë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi kanë arritur të triumfojnë me rezultatin e pastër 3-0 duke siguruar kështu daljen në finale. Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, vendasit e Shutovës së Kërçovës kanë fituar ndaj Drenicës së Skënderajt.
Kësisoj, në finale do të ndeshen Shutova vendase me Vllazninë. Ndeshja pritet të jetë e fortë dhe natyrisht që shkodranët do të synojnë fitoren për të marrë edhe kupën e vënë nga organizatorët. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse skuadra vendase është kampione e Maqedonisë dhe po ashtu, do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve vendas. Kjo nuk pritet të ndikojë shumë tek skuadra që përfaqëson Shqipërinë në këtë aktivitet e cila do të kërkojë fitimin e trofeut. Megjithatë, këtë do ta vendosë parketi i pallatit të sportit ku do të luhet kjo finale.
© shkodrasport.com