Tjetër zhgënjim i Vllaznisë. Ndonëse i duhej të luante për të paktën një pikë, kuqeblutë jo vetëm që nuk kanë arritur ta marrin atë por kanë bërë një paraqitje për t’u harruar duke humbur me rezultatin e thellë 0-3 ndonëse kanë luajtur me pesë mbrojtës për pjesën më të madhe të ndeshjes. Ndeshja nuk ka nisur mirë për Vllazninë që duket disi inferiore ndaj kundërshtarit i cili ushtron më shumë presion drejt portës së saj. Por pas minutës së 15-të gjërat ndryshojnë sepse kuqeblutë arrijnë të marrin mesfushën dhe madje shohin edhe drejt portës vendase. Loja vijon në këtë mënyrë ndërkohë që Laçi pretendon për një 11-metërsh në minutën e 33-të për një pengim në zonë të Mensah por arbitri vazhdon lojën.

Por gjërat përsëriten në minutën e 44-të kur Gocaj pengon në mënyrë të parregullt brenda zonës një lojtar laçian dhe arbitri Sokoli këtë herë tregon pikën e bardhë. Aty ku shkodrani Erjon Vucaj tregohet i saktë duke shënuar. Por jo vetëm kaq. Në minutën shtesë të pjesës se parë, Vrapi gabon në zotërimin e një topi duke i dhënë mundësi Mensah të dalë i vetëm përballë Selimajt që grushton topin duke mbajtur në lojë Vllazninë. Pjesa e parë kësisoj mbyllet 1-0 për Laçin. E dyta u mendua se do të niste ndryshe për shkodranët por në minutën e 52-të ata gabojnë sërish në markimin e Qaqit brenda zonës që shënon dhe golin e dytë. Gol që praktikisht do mbyllte gjithçka por në fakt ka edhe më keq. Në minutën e 73-të ndërkohë do të ishte ganezi Mensah ai që do të kalonte të gjithë mbrojtjen shkodrane duke shënuar përballe Selimajt. Përfundimisht 3-0 për Laçin, fitore e cila ia shton edhe më shumë shpresën për mbijetesë ndërkohë që gjërat vështirësohen edhe më shumë për Vllazninë e cila e sheh veten shumë të rrezikuar kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit.
www.shkodrasport.com