Humbja e Vllaznisë në Laç I ka rënduar edhe më shumë pozitat e saj në renditje dhe ajo tashmë rrezikon shumë seriozisht rënien nga Superliga. Në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, asaj I duhet të marrë edhe një pikë por ecuria e ndeshjeve të fundit të kuqebluve nuk jep shumë shpresë. Kampionati I sivjetëm ka hyrë në një fazë shumë interesante ku çdo gjë duket e hapur jo vetëm sa I takon skuadrës që do të shpallet kampione por edhe asaj për vendin e katërt apo për skuadrën tjetër që do të bjerë nga kategoria.

Natyrisht që tifozët shkodranë janë të shqetësuar për Vllazninë e cila çuditërisht nga një pozicion komod në renditje, tashmë e sheh veten të rrezikuar. Ka ndodhur kështu sepse në pesë ndeshjet e fundit, ky ekip ka arritur të marrë vetëm dy pikë. Shumë pak kur ke parasysh se faza e katërt e kampionatit nisi në një mënyrë të shkëlqyer me dy barazime ndaj Kukësit dhe Partizanit por më pas gjërat morën tatëpjetën. Vetë trajneri Cungu pas ndeshjes me Laçin është shprehur se nuk po e kupton se çfarë po ndodh me skuadrën që ai drejton dhe kjo në fakt është e rëndë. Diçka duket se nuk funksionon si duhet por tashmë nuk është koha për të gjetur as shkaktarë dhe as fajtorë. Është koha për t’I vënë gishtin kokës sepse Vllaznia dhe Tirana konsiderohen dy skuadrat më të rrezikuara për rënien nga Superliga dhe në ballafaqimin e fundit që do të luhet pas dy javësh në “Loro Boriçi”, njëra do ta pësojë. Megjithatë kuqeblutë kanë edhe një shans tjetër, atë të Durrës këtë javë në përballjen me Teutën. Nëse marrin pikë në “Niko Dovana” gjithçka mbyllet dhe të gjithë do qetësohen megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse edhe vendasit, rrezikojnë më pas. Këto janë arsyet ndoshta që ditën e sotme gjërat në kampin shkodran kanë qenë disi të qeta. Ndonëse në opinionin sportiv mund të jetë menduar për mbledhje e gjoba, drejtuesit po shohin tjetër zgjidhje. Skuadra duhet motivuar sepse nuk duhet çuar dëm i gjithë sezoni. Për këtë arsye, ka besim se do ia dalim, madje që këtë të shtunë ndaj Teutës.
© shkodrasport.com