Një orë më vonë, në stadiumin e qytetit të Laçit do të nisë një ndeshje shumë e rëndësishme e vlefshme për javën e 34-të të Superligës, ajo në mes skuadrës vendase dhe Vllaznisë. Të dy ekipet kanë nevojë për pikë, laçianët për fitore sepse vetëm ajo u kryen punë ndërkohë që shkodranët janë të kënaqur edhe me një barazim. Pikërisht për këtë, trajneri Cungu duket se ka ndër mend të hedhë në fushë një formacion mbrojtës. Ai është i kushtëzuar nga mungesat e Bakajt për arsye kartonash dhe Kalajës e Mulemos për arsye dëmtimi.

Megjithatë në fushë do jenë futbollistë të cilët pritet të japin maksimumin në mënyrë që skuadra të arrijë objektivin e vet. Në portë do jetë sërish Selimaj ndërkohë që në mbrojtje me shumë mundësi do të luhet me 5 lojtarë, pikërisht me Gurishtën në të djathtën, treshen Bicaj, Vrapi e Gocaj në qendër dhe Pjeshkën në të majtë. Në mesfushë do jenë katër lojtarë, me Krymin, Tafilin, Shtubinën dhe Çinarin ndërsa në majë të sulmit pritet të luajë nga minuta e parë i riu Hebaj. Me këtë 11-she, stafi i Vllaznisë do të tentojë pse jo të marrë përveçse barazimit, edhe një fitore të mundshme duke shfrytëzuar kundërsulmin e shpejtë. Megjithatë,për momentin në Shkodër do jenë të kënaqur edhe me një barazim në këtë sfidë shumë delikate.
© shkodrasport.com