Merkatoja e Vllaznisë është në vendnumëro, të paktën deri më tani. Kur kanë mbetur edhe më pak se 20-ditë nga mbyllja zyrtare e tregut të shit-blerjeve, në Shkodër mungojnë afrimet.

Drejtuesit dhe presidenti Alban Xhaferi janë duke shpresuar që deri në fund të merkatos të “godasin”. Realisht, mund edhe të shpresohet te ndonjë “okazion” që mund të vijë, duke qenë se koha në dispozicion është e madhe.

Megjithatë, edhe pse mungojnë firmat, “Shkodra Sport” zbulon se klubi po bisedon me disa futbollistë cilësorë dhe ndoshta pas ndeshjes së parë me Partizanin, mund të kemi edhe konfirmimet e para për këtë merkato.

Kuqeblutë duan që në fund të sezonit të jenë në krye të renditjes për të fituar titullin kampion dhe për këtë duhet që të “blindojnë” skuadrën edhe për pjesën e mbetur të sezonit.
Maringlen ZHIVANI