Ballafaqimi i nesërm ndaj Teutës do të jetë takimi i parë zyrtar për Vllazninë e basketbollit të meshkujve. Një ndeshje e vlefshme për Kupën e Shqipërisë e cila do të nisë në orën 18.00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.

Kuqeblutë padyshim që do të tentojnë të bëjnë një paraqitje sa më të mirë në këtë takim, ku fitorja dhe kualifikimi duket shumë i vështirë. Megjithatë basketbollistët shkodranë do të tentojnë të bëjnë një prezantim sa më të mirë sepse ky do të jetë edhe një test shumë i mirë përpara nisjes së ndeshjeve të kampionatit.

Në këto të fundit, Vllaznia padyshim që do të tentojë të bëjë mirë për të arritur objektivin që ka, shkëputjen nga vendi i fundit i renditjes. Dhjetë ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit janë për “jetë a vdekje” për ekipin e Vllaznisë dhe prandaj duhet dhënë maksimumin në çdo ndeshje.

Ndërkohë janë luajtur tre ndeshjet e tjera të Kupës dhe janë kualifikuar Partizani, Goga Basket e Tirana. Tashmë ka mbetur vetëm përcaktimi i ekipit të katërt gjysmëfinalist: Teuta apo Vllaznia? Për këtë duhet të presim deri nesër pasdite.
© shkodrasport.com