Tek skuadra e Vllaznisë do të vijnë nesër dy futbollistë serbë për provë. Njëri prej tyre luan në repartin e mbrojtjes pikërisht në qendër të saj dhe tjetri në sulm. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë skuadrës shkodrane të cilat theksojnë se të dy këta futbollistë do mbërrijnë nesër në Shkodër dhe të hënën do të nisin menjëherë stërvitjen me ekipin. Emrat e këtyre lojtarëve ende nuk janë zbuluar por thuhet se mbrojtësi është 29 vjeç dhe ka luajtur deri para një jave me një ekip të superligës serbe. Ndërsa sulmuesi është 28 vjeç dhe ka luajtur sëfundi në kampionatin sllovak. Trajneri Vata i ka parë këto dy futbollistë më parë në videokaseta por ka dashur t’i ketë në dispozicion edhe për disa ditë të tjera në stërvitje për t’u bindur plotësisht për vlerat e tyre. Mbërritja e këtyre dy futbollistëve serbë është sinjali i parë se Vllaznia ka filluar të lëvizë në merkato. Por ajo që po shihet, drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë ndër mend të shpenzojnë shuma të mëdha për blerjen e lojtarëve në merkaton e janarit. Një lajm tjetër që del nga kampi shkodran është se brenda 2-3 ditësh mund të vijnë për provë edhe dy futbollistë brazilianë që luajnë mesa duket edhe ata në repartin e sulmit.