Prej pak ditësh Vllaznia e basketbollit të meshkujve është pa trajner. Mosrinovimi i kontratës me kroatin Neven Plantak nuk do të thotë se drejtuesit e shoqatës kanë qëndruar duarkryq. Burime pranë ekipit konfirmojnë faktin se presidenti Alban Xhaferi dhe stafi i tij kanë nisur menjëherë punën për gjetjen e trajnerit të ri.

Dhe duket se për të është hapur një “ankand”. “Shkodra Sport” ka mesuar edhe kandidaturat kryesore rreth te cileve po diskutohet aktualisht. Pikësynimi sërish duket se do të jetë gjetja e një trajneri të huaj dhe tashmë janë vënë edhe piketat e para.

Kështu një kandidaturë e fortë mësohet se është slloveni Muharrem Vugdaliç i cili ka drejtuar St.Pauls Killarney në Irlandë. Po ashtu Akademinë Canterbury në Las Palmas- Gran Canaria në Spanjë apo dhe Pejën dhe Bashkimin e Prizrenit në Kosovë.

Por nuk është vetëm ai opsion për pankinën e Vllaznisë. Përveç tij një emër që po studiohet është edhe ai i grekut Alexandrou Papagou që ka drejtuar Paokun dhe Panathinaikos në vendin e tij ndërsa në sezonin e fundit ka drejtuar Strumicen në Maqedoni.

Nuk përjashtohet mundësia që trajneri i ardhshëm i kuqebluve të jetë edhe një amerikan. Bëhet fjalë për Chris Daleo që ka qenë edhe trajner i Kombëtares së Tailandës dhe njëkohësisht është ekspert në ndërtimin e Akademive sportive dhe në aspektin menaxherial të basketbollit.

Ndërkohë edhe nga Kosova po studiohet me shumë kujdes një kandidaturë. Bëhet fjalë për Bujar Locin, trajnerin aktual të Rahovecit, i cili korri një sukses të paparë duke e dërguar ekipin deri në finalen e Superligës Kosovare dhe prandaj konsiderohet një kandidaturë shumë serioze.

Këto katër janë aktualisht piketat e para të hedhura nga drejtuesit e Vllaznisë. Nga sa shikohet, presidenti Xhaferi mesa duket këtë herë nuk ka dëshirë të gabojë por të zgjedhë njeriun e duhur për të ndërtuar atë Vllazni që presin të gjithë.

Gabimet e bëra në sezonin e fundit, por që për fat nuk çuan në dështimin total të sezonit, janë bërë mësim dhe për këtë arsye po punohet që këtë herë të jetë krejt ndryshe. Trajneri i duhur do të zgjedhë më pas edhe lojtarët e duhur dhe për rrjedhojë Vllaznia e sezonit të ri do të jetë pretendente serioze për fitimin e trofeve.
© shkodrasport.com