Sezoni ka përfunduar tashmë, ku Vllaznia do luajë në Conference League pasi fitoi trofeun e kupës së Shqipërisë. Megjithatë puna nuk pushon kurrë, pasi po përgatitet skuadra për kompeticonet europiane, por edhe sezonin që vjen. Duket se është një kohë rinovimesh tek Vllaznia në këto momente.

Dy nga elementët kryesorë të skuadrës në këto dy sezonet e fundit, portieri Bojan Zogovic dhe mbrojtësi Mevlan Adili duket se kanë gjetur marrëveshjen për vijimin e bashkëpunimit.

Një gjë të tillë e pranoi në një dalje televizive, sekretari i përgjithshëm i klubit Vllaznia, Blendi Dibra. Sipas tij parimisht është rënë dakord me dyshen dhe pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjeve.

Të dy futbollistët kanë qenë pika të forta të Vllaznisë në këtë edicion dhe vazhdimi i tyre në skuadrën kuqeblu patjetër që është pozitiv. Nga ana tjetër edhe elementë si Hakaj apo Da Silva janë në dëshirën e drejtuesve për të qëndruar.

Megjithatë për ta për momentin nuk diskuohet nëse mund të firmosin sërish për kuqeblutë, por të paktën të jenë pjesë e ekipit në ndeshjet europiane.
Endri ÇINARI