Opinion nga Saimir Demi

Përpara se të fillonte kampionati i tanishëm, në përgjithësi kishim hall problemet e shumta të Vllaznisë. Nuk është se na kërkuan ndihmë, por ja që e ndjejmë se flitet për një klub të madh. Për të parë këtë ekip në “Loro Boriçi”, apo kudo ku të luajë… pse jo? Flitet për një personalitet që asnjeherë nuk është i tepërt në këtë futboll që luhet në Shqipëri, me lekë dhe pa lekë, i pastër dhe i shpifur, me president, ose pa një të tillë, në qendër të vëmendjes apo në periferi.

Aq shumë u vu në siklet ai drejtori i tyre, Armir Grima, saqë filloi të bënte edhe fetarin e devotshëm, pasi sa herë që ta merrje në telefon i lutej Zotit që kjo skuadër të mos binte një kategori më poshtë. Por edhe sikur ta mallkosh nuk është e lehtë të dalë që Vllaznia të mos jetë në Superiore. Lutu edhe për të kundërtën, por ka shumë pak mundësi të funksionojë. Ka njerëz të mirë si Grima, Canaj, Gjyrezi dhe prandaj ka edhe Zot. Vajtën e mblodhën të gjithë futbollistët shkodranë që luanin në skuadra të tjera, kuptohet me aq sa mundën dhe u ofruan një pagesë, e cila të ishte disi komode në rrugën e tyre të kthimit në shtëpi. Dhe parimisht ia arritën. Thirrën Agim Canajn nga Tirana, pasi është i vetmi, nga më të mirët në fushën e trajnimit, por edhe që di të vlerësojë problemet e të tjerëve. Dhe tani drejtuesit e mëdhenj vetëm duhet të tregohen më korrektë me skuadrën e tyre, apo të gjejnë burime alternative financiare, pasi këta që erdhën e bënë një Vllazni… dhe nuk është dosido.