Skuadra e Vllaznisë në basketboll për femra është mundur në sfidën e radhës. Ka qenë një prej ekipeve më të mira në vend, Flamurtari i cili ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e luajtur me vajzat kuqeblu në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër. Edhe pse vlonjatet kanë arritur të fitojnë nuk e kanë patur edhe aq të lehtë përballë një ekipi relativisht me moshë të re, siç është Vllaznia. Vetëm fraksioni i fundit i lojës i ka dhënë shkëputjen drejt fitores Flamurtarit. Vlonjatet e nisin më mirë sfidën teksa që në fillim tregojnë se në Shkodër kërkojnë medoemos fitoren. Megjithatë Vllaznia edhe pse pa eksperiencën e duhur ndoshta sepse ky është sezoni i dytë me të rriturat, mundohet të rivalizojë ndjeshëm dhe ia arrin qëllimit. Perioda e parë nuk ka ndonjë diferencë të madhe teksa Flamurtari e fiton me vetëm 3 pikë diferencë, 19-22 duke lënë gjithçka të hapur për më tej. Në 10-minutëshin dytë presioni skuadrës mike rritet, ndërsa Vllaznia ul disi tempin e saj. Flamurtari ka më shumë qartësi në lojën e saj dhe vepron saktë në aksionet sulmuese duke mos gabuar. Vllaznia humb edhe në periodën e dytë dhe kësaj here 7 pikë diferencë 13-20. Gjysma e parë e takimit mbyllet 32-42. këtu Flamurtari është favorit për fitoren në dy periodat e dyta por edhe Vllaznia ka ende shpresë. Shkodranet nuk lëshojnë dhe mundohen të reagojnë për ta ndryshuar situatën. Këtë e bëjnë mjaft mirë. Perioda e tretë i takon Vllaznisë. Vajzat kuqeblu të basketbollit fitojnë 13-10 10-minutëshin e tretë dhe në këtë mënyrë teksa është vetëm perioda e fundit për tu luajtur, sfida bëhet interesante sepse difernca tashmë është vetëm -7 pikë për Vllazninë. Shkodranet në periodën e katërt kanë dëshirën e madhe për të arritur një rezultat pozitiv ndaj një skuadre si Flamurtari, por i mungon eksperienca. Vllaznia nuk e administron siç duhet fraksionin e fundit të lojës, natyrisht edhe për meritë të Flamurtarit që riorganizohet shpejt dhe nuk lejon që dueli ti shpëtojë nga duart. Perioda e katërt fitohet nga vajzat vlonjate 17-23, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e Flamurtarit me rezultatin e përgjithshëm 62-75. Një fitore e vlefshme për vlonjatet, ndërkohë që një humbje për Vllazninë, por edhe pse e tillë disfatë me moral e një lojë të mirë nga vajzat shkodrane që duket se këtë sezon po japin sinjalet e duhura. Fitorja në Elbasan apo loja e mirë ndaj Flamurtarit, edhe pse me humbje, janë faktorë pozitiv për Vllazninë, që japin shpresë për një të ardhme të afërt.

Vllaznia – Flamurtari 62-75

Periodat: 1) 19-22, 2) 13-20, 3) 13-10, 4) 17-23

Vllaznia: Sokoli, Mustafa, Xhanaj, Dashja, Ndou Tr: Rajmond Rasha. (u aktivizuan: Zogaj, Berrania)

Flamurtari: Podrug, Mirto, Elmazi, Xhafaj, Hoxhaj Tr: Viron Toska(u aktivizuan: Gjoka, Baxhaj, Rrapaj, Gerpi)