Skuadra e Adës së Velipojës po e shfrytëzon mësëmiri periudhën në të cilën arbitrat bojkotuan për një javë kampionatin. Skuadra bregdetare përveç seancave stërvitore po përdor edhe ndeshjet miqësore për të mbajtur në një formë të mirë ekipin. Kështu dy ditët e fundit, Ada ka zhvilluar dy takime miqësore. Velipojakët ditën e premte janë përballur me ekipin e Labeat, që aktivizohet në Ligën Amatore. Edhe ndaj një skuadre me futbollistë të ri, kjo miqësore ka vlejtur mjaft për skuadrën që drejtohet nga Samuel Nikaj. Takimi ka përfunduar 4-2 për Adën, edhe pse rezultati është më i parëndësishmi, këtu rëndësi ka forma e mirë e Adës. Në këtë ndeshje trajneri Nikaj përveç lojtarëve të formacionit të parë, u ka dhënë mundësi edhe atyre të stolit që të luajnë disa minuta apo edhe atyre që janë aktivizuar më pak gjatë këtij sezoni. Stafi teknik ka mbetur i kënaqur nga paraqitja në këtë sfidë miqësore. Ndërkohë që të shtunën Ada ka zhvilluar një takim tjetër miqësor dhe kësaj here brenda familjes. Ekipi i parë i Adës ka luajtur përballë skuadrës së të rinjve të Adës U-19, që drejtohet nga Brikeno Bizi. Edhe kjo ndeshje më shumë ka shërbyer si një seancë kontrolli për trajnerin Nikaj. Në këtë miqësore stafi teknik ka krijuar një ide edhe më të qartë për formën e skuadrës dhe futbollistët. Takimi ka përfunduar 4-2 për skuadrën e parë, edhe këtu rezultati nuk rëndësi sepse vlerë ka paraqitja e mirë e ekipit bregdetar. Tashmë edhe një javë ka mbetur nga ndeshja e rëndësishme e kampionatit që Ada e luan në shtëpi me Luftëtarin kryesues dhe po përgaditet intensivisht për të arritur objektivin e vetëm që është fitorja, edhe pse përballë kanë skuadrën e vendin të parë.