Festa e Flamurit do të shoqërohet me një aktivitet shumë interesant në sportin e volejbollit.  Federata Shqiptare e Volejbollit ka vendosur të organizojë një turne me pjesmarrjen e katër ekipeve më të mira për momentin në kampionatin e meshkujve dhe e ka emërtuar atë Kupa e Flamurit. Pjesmarrës do jenë ekipet e Vllaznisë, Tiranës, Studentit dhe Farka Volej. Fillimisht do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale pasditen e sotme sipas kalendarit Vllaznia- Farka Volej dhe Tirana- Studenti. Këto ndeshje do të luhen në sallën sportive “Fahrije Hoti” të kryeqytetit.

Ekipi shkodran i drejtuar nga Artan Kalaja natyrisht që do të kërkojë ta bëjë të vetin këtë trofe. Ai është duke kaluar një moment të mirë dhe jo më kot kryeson për momentin kampionatin. Në ndeshjen gjysmëfinale ndaj ekipit Farka Volej ata konsiderohen favoritë për të kaluar në ndeshjen finale që do të luhet pasditen e së premtes po në Tiranë. Vllaznia ka pësuar shumë ndryshime këtë sezon. Ka mbështetje edhe më të madhe nga ana e klubit për këtë ekip, ka më shumë tifozë në mbështetje të tij e po ashtu, një forcë më shumë është padyshim edhe kthimi i kapitenit Rezart Prela sërish pranë ekipit. Pjesa tjetër është po ajo e një sezoni më parë megjithatë me përvojë më të madhe dhe shumë më të motivuar për të dhënë më të mirën në çdo ndeshje. Vllaznia në volejboll për meshkuj pavarësisht se në vite ka arritur të jetë shumë herë pranë shpalljes kampion, nuk ka arritur në asnjë moment ta bëjë këtë gjë dhe mbase ka ardhur momenti që shkodranët të gëzohen për këtë gjë. Por më parë, vëmendja e volejbollistëve duhet përqendruar tek fitorja e Kupës së Flamurit, trofeut të parë për këtë sezon.
Gjergj KOLA