Do të luhet nesër në or 16.00 ndeshja e shumëpritur në mes Partizanit e Vllaznisë dhe sigurisht që e gjithë vëmendja e kësaj jave në futbollin shqiptar do të jetë e përqendruar tek sfida që do të luhet në stadiumin “Partizani”.

Ndërkohë, pak a shumë formacioni që trajneri Mirel Josa vendosi nga minuta e parë ndaj Kastriotit, mund të jetë edhe ai që kuqeblutë do të zbresin në fushë edhe ndaj Partizanit.

Me tri mungesa, pikërisht të Juriç për kartonë dhe të Latifit e Bulatoviç për shkak dëmtimesh, 11-shja e kuqebluve ndaj Partizanit të premten pritet të jetë me të zakonshmin Zogoviç në portë dhe me mbrojtjen me Smajlin, kapitenin Gurishta, Shehin dhe Hakajn.

Në mesfushë, me shumë mundësi do të luajë Boshnjaku, së bashku me Jonuzin dhe Alivodën, që e kanë “skalitur” vendin në formacion prej kohësh.

Në sulm, Kaina dha përgjigje të mira në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Teutës dhe Josa pritet t’i besojë edhe ndaj Partizanit. Ndërkohë, Mala dhe Hoxhaj pritet të plotësojnë nga krahët repartin ofensiv.
Maringlen ZHIVANI