Ditën e nesërme, Vllaznia do të luajë ndeshjen ndaj Kastriotit, e cila do të startojë në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës dhe që është e vlefshme për javën 18-të të Abissnet Superiore. Trajneri Thomas Brdariç, do të ketë probleme me mungesat sa i takon kësaj sfide dhe nisur nga kjo, tekniku Brdariç nuk do të ketë tre nga lojtarët bazë të formacionit për takimin e së nesërmes.

Diagne, Hoxhaj dhe Da Silva janë mungesa të rëndësishme për ekipin shkodran. Megjithatë, stafi teknik nga ana tjetër, ka marrë edhe një lajm të mirë. Kështu, mbrojtësi Mevlan Adili duket se i ka lënë pas problemet shëndetësore që ka patur dhe si rrjedhojë, do të jetë në fushë nesër ndaj krutanëve.

Nisur nga boshllëqet që kanë krijuar mungesat, trajneri Thomas Brdariç është i detyruar të bëjë ndryshime dhe lëvizje pozicionesh për lojtarë të caktuar, kryesisht në repartin e mbrojtjes.

Kështu, në portë pritet të jetë Zogoviç. Katërshja e mbrojtjes për Kastriotin mund të përbëhet nga Gurishta dhe Hakaj në krahë, si dhe Adili e Bulatoviç në qendër.

Në mesin e fushës nga minuta e parë pritet të rreshtohen Jonuzi, Krymi dhe Mustedanagiç. Në sulm, trajneri Brdariç parashikohet që t’i besojë sërish Aralicës në majë, i cili nga krahët do të ndihmohet nga Kruja dhe Latifi.

Gjasat janë që stafi teknik të përdorë formacionin e mësipërm për ndeshjen e javës së 18-të me Kastriotin, por dilemat janë akoma dhe mbetet për t’u parë deri në fund se kush do të luajë.

Me këtë 11-she, Vllaznia do të kërkojë me çdo kusht fitoren në këtë përballje shumë të rëndësishme. Poashtu në ndeshjen me Kastriotin, që do të luhet në Kamzë, shkodranët pritet të kenë edhe mbështetjen e një numri tifozësh, të cilët presin patjetër fitoren e tyre.
Maringlen ZHIVANI