Laçi-Vllaznia është sfida që do luhet sot në javën e 19-të të Abissnet Superiore. Një sfidë që në vitet e fundit, ka sjellur gjithmonë përballje emocionuese.

Tek laçianët janë dy lojtarë që më përpara kanë luajtur për Vllazninë. Kështu, bëhet fjalë për mbrojtësin Renato Malota dhe portierin Alen Sherri.

Këtë sezon, mbrojtësi lezhjan, në skuadrën e trajnerit Mirel Josa, ka qenë një nga më të mirët në ndeshjet e zhvilluara deri më tani. 32-vjeçari ka formuar një dyshe të fortë me kapitenin e Laçit, Ignjatoviç, që deri më tani po funksionojnë mjaft mirë në qendër të mbrojtjes.

Në periudhën që ai ka luajtur për Vllazninë, Malota ka treguar një formë shumë të mirë sportive në ato dy sezone që luajti në Shkodër dhe ka qenë një pikë shumë e fortë e kuqebluve në prapavijë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, krejt ndryshe qëndron situata për Alen Sherrin. Çfarë po ndodh me të? Në fakt, portieri shkodran është lënë në stol në shumicën e ndeshjeve këtë sezon. Në fillim të tij, Sherri bëri disa gabime dhe kështu pak nga pak ka humbur edhe vendin e titullarit. Padyshim që kjo nuk është diçka e mirë për një portier 24-vjeçar dhe me shumë të ardhme.

Me shumë siguri, në verë ai do largohet nga kjo skuadër dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vijojë karrierën e tij.
Maringlen ZHIVANI