Me humbjen e pësuar ndaj Partizanit, Vllaznia i ka bërë një mbyllje aspak të mirë vitit 2017. E pozicionuar në vendin e nëntë në kampionat, ajo bashkë me Teutën rrezikojnë më shumë se kushdo tjetër të bien bashkë me Lushnjën nga Superliga në fund të këtij sezoni. Situata në kampion shkodran nuk duket aspak e mirë. Trajneri Gjoka edhe pas ndeshjes së djeshme deklaroi se skuadra duhet bërë nga e para.

Në fakt, ka shumë dilema në lidhje me këtë çështje. Vërtetë, numri 1 i pankinës shkodrane mund të ketë marrë garanci nga ana kryebashkiakja Ademi për financat që duhen për të bërë merkato por ka paqartësi se ku do të gjenden lojtarët e duhur. Së paku duhen 3 apo 4 përforcime cilësore. Një mundësi është ajo e Sukajt që siç dihet, është larguar nga Partizani. Një tjetër opsion është Shtubina që është larguar nga Kukësi por në fakt Vllaznia aktualisht nuk ka nevojë për mesfushorë. E domosdoshme është gjetja e mbrojtësve dhe deri më tani nuk ka asgjë të sigurtë për marrjen e ndonjë lojtari në këtë repart. Në kushte të tilla, të gjitha strukturat e klubit Vllaznia apo dhe të tjerë persona, duhet të angazhohen seriozisht për nxjerrjen e skuadrës nga pozitat ku ndodhet tani sepse ndryshe ajo mund të ketë fatin e Tiranës në fund të këtij sezoni.

© shkodrasport.com