Ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në formacion, Vllaznia U17 ka vijuar me serinë e fitoreve në kampionat, duke mundur këtë herë ekipin e Dinamos me rezultatin 2-1.

Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur paraditen e sotme në Tiranë dhe futbollistët kuqeblu treguan vlerat e tyre duke dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit dhe duke marrë në fund trepikëshin e merituar.

Ka qenë sulmuesi Antonio Delaj ai që ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 18-të dhe gjashtë minuta më vonë do të ishte kapiteni Enes Papaj që do të shënonte edhe golin e dytë.

Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 2-0 në favor të Vllaznia U17. Në të dytën ka qenë Sallaku ai që ka ngushtuar shifrat për Dinamon por vetëm kaq. E gjithë ndeshja do të mbyllej me fitoren e ekipit shkodran me rezultatin 2-1.

Në këtë mënyrë, pas javës së pestë të kampionatit, Vllaznia U17 është ngjitur në krye të renditjes me 13 pikë ndërkohë që në vend të dytë është Tirana me një pikë më pas, por ajo ka edhe një ndeshje për të luajtur më shumë.
© shkodrasport.com