Pas katër javësh me rezultatet pozitive, Vllaznia U17 është ndalur sot në ndeshjen e rradhës. Ajo ka luajtur paraditen e së shtunës në Kukës ndaj ekipit vendas dhe është mundur me rezultatin 1-0, në ndeshjen e javës së 18-të që është njëkohësisht edhe e fundit e fazës së dytë të kampionatit.

Fatin e kësaj ndeshje do ta vendoste një gol i shënuar në sekondat e parë të ndeshjes. Ademaj ka kaluar në avantazh kukësianët menjëherë sapo arbitri sinjalizoi për nisjen e takimit. Të shokuar nga pësimi i golit kaq shpejt, futbollistët shkodranë janë munduar të reagojnë por pavarësisht presionit që kanë ushtruar, ata nuk ia kanë dalë dot të barazojnë në pjesën e parë.

E njëjta situatë edhe në të dytën. Futbollistët e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi kanë bërë shumë përpjekje për të gjetur të paktën golin e barazimit por nuk ia kanë dalë dot. Përfundimisht 1-0 për Kukësin dhe shkodranët nuk kanë dashur t’u besojnë syve se si ka mundësi ta humbin ndeshjen me një gabim të vetëm.

Me këtë humbje, Vllaznia U17 ka mbetur në kuotën e 28 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje. Në vend të dytë ndodhet ekipi i Shënkollit që ka katër pikë më shumë dhe një ndeshje më pak të luajtur.

Në këtë mënyrë, tashmë gjërat vështirësohen gjithnjë e më shumë për ekipin shkodran në fazën e tretë të kampionatit dhe ai do ta ketë shumë të vështirë për t’u futur në dyshen e vendeve të para të renditjes, vende këto që siç dihet të çojnë më pas në fazën e plej-ofit.

Megjithatë janë edhe nëntë ndeshje për t’u luajtur deri në fund dhe nëse Vllaznia U17 vazhdon të luajë në të njëjtën mënyrë siç ka luajtur në këto javët e fundit, mund t’ia dalë të arrijë objektivin e vet.
© shkodrasport.com