Analizë nga Bashkim Tufa

Ka përfunduar java e parë e Kampionatit të 81-të të Superiores. Ka nis me “risi”. Skuadrat mikpritëse nuk falin: katër fitore 1-0 dhe një 3-0 i pastër! Ka më tepër se dy dekada, që nuk ndodh një rast i tillë në futbollin shqiptar…

Të premten e 23 gushtit, në premierën e sezonit të 81-të në “Elbasan Arena”, ku 5 ditë më parë kishin fituar Superkupën, kampionët e Partizanit humbën 1-0. Kukësit i mjaftoi goli i Shkurtajt (39’) nga pika e penalltisë për të fituar 3 pikët dhe “zyrtarizuar” ambicien për titull…

Një ditë më pas, Vllaznia e rikthyer në Superiore, nuk gaboi në “Loro Boriçi”. Goli i brazilianit Hygor (45′) pati vlerë për të marrët 3 pikët dhe për ulur me këmbë në tokë kurbinasit e Laçit, të cilët duhet të “flasin” më tepër në fushë se sa në TV…

Pas katër sezonesh, kapiteni Renato Arapi (34’) shënoi një gol “të rëndë” në Superiore, duke i dhuruar fitoren dhe 3 pikë të çmuar Teutës, përballë një Bylisi të vështirë për t’u mundur, ku portierët Hidi dhe Frashëri kishin “ngatërruar” skuadrat…

“In extremis”, durrsaku i korçarëve Nazmi Gripshi (95’), i ndihmuar nga një top i kërcyer dhe papërgatitja e portierit Moçka, i dha Skënderbeut fitoren e dëshiruar ndaj një Flamurtari në emergjencë, të cilit i duhet kohë për të kapur ritmin.

Bardheblutë e Tiranës për 15 minuta mbaruan “punë” me gjirokastritët e Luftëtarit. Dunga (30′), Halili (32′) dhe Batha (45′) me penallti ishin autorët e fitores 3-0, që pas kaq kohësh i sheh në krye të renditjes. Gjithsesi kjo ndeshje nuk ishte një test real për bardheblutë, forca e tyre do të shikohet të marten në mbrëmje, kur do të ndeshen me Teutën në “Selman Stërmasi” për javën e dytë të kampionatit…