Pasditja e nesërme do të dhurojë një sfidë shumë interesante në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në orën 18:00. Vllaznia e volejbollit të meshkujve do të presë ekipin e Partizanit, në takimin e dytë të vlefshëm për fazën play-off.

Kjo do të jetë ndeshja e kthimit mes të dy ekipeve dhe realisht pritet të jetë një duel interesant mes skuadrave, teksa në rast fitoreje të Vllaznisë do të ketë ndeshje të tretë, ndërsa në rast fitoreje të Partizani, atëherë gjithçka mbyllet këtu.

Në fakt, pritet që në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të ketë edhe më shumë tifozë se herët e tjera për t’i mbështetur djemtë e Vllaznisë për arritjen e një fitoreje të mundshme.

Pak ditë më parë, kuqeblutë u mposhtën nga Partizani në kryeqytet me rezultatin 3-0, por që pasditën e nesërme pritet të jetë një duel tjetër dhe padyshim edhe më i luftuar, me volejbollistët shkodranë që do të tentojnë fitoren në ndeshjen e dytë për fazën play-off.
Maringlen ZHIVANI