Optimizëm në kampin shkodran në prag të ndeshjes së rradhës, asaj me Tiranën që do të luhet nesër në orën 18.30 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi ka dalë sot para gazetarëve duke folur për Ligën Ballkanike fillimisht por edhe për kampionatin, teksa ka bërë të qartë edhe njëherë tjetër objektivat e këtij ekipi.

Në fillim të fjalës së tij presidenti Xhaferi është ndalur tek sukseset e arritura së fundi në ndeshjet e Ligës Ballkanike, duke i konsideruar historike ato. “Ne vimë nga tre fitore rradhazi në Ligën Ballkanike dhe mund t’i quaj historike për një ekip shqiptar sepse besoj se asnjëri më parë nuk ka arritur të marrë tre fitore njëra pas tjetrës.

Kemi mundur Akademik të Plovdivit, Pejën dhe së fundi Ibarin. Ne do të synojmë të bëjmë mirë edhe në fazën play-off ku synojmë të bëjmë një pjesmarrje sa më dinjitoze, por pse jo, kemi ambicje për të synuar edhe titullin kampion të Ligës Ballkanike”- është shprehur numri 1 i basketbollit shkodran.

Xhaferi më pas është ndalur edhe tek ndeshja e nesërme ndaj Tiranës për kampionat për të cilën ka thënë: “Do të luajmë ndaj Tiranës, rivalit tonë të përjetshëm dhe është një ndeshje shumë e vështirë. Kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, një ekip që luan në grup dhe këtë gjë e tregoi edhe në ndeshjen e kaluar kur mundi Teutën kryesuese. Me humbjen e kësaj të fundit është hapur loja për vendin e parë dhe prandaj ndaj bardhebluve do të synojmë një lojë sa më të bukur dhe kuptohet edhe fitoren.

Nuk kemi kohë për të marrë frymë sepse kemi më pas ndeshjen e Partizanit dhe pas saj dy të tjera në Durrës me Teutën dhe Goga Basket dhe do të luftojmë fort për të arritur objektivin që kemi. Unë shpresoj që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë duke filluar që nesër ndaj Tiranës në mënyrë që pallati i sportit të jetë plot e ta mbështesin si duhet Vllazninë në rrugën e saj të suksesit.