Xhudisti Xhovan Shkoza ka bërë një paraqitje shumë të mirë në turneun ndërkombëtar të zhvilluar dje dhe sot në Amyntaio të Greqisë duke merituar medaljen e bronztë në kategorinë e tij, në garat e kadetëve. Aktiviteti ka qenë i rëndësishëm sepse në të kanë marrë pjesë përveç sportistëve nga të gjitha vendet e Ballkanit edhe ato nga Rusia, Ukraina, Gjeorgjia etj. Turneu është zhvilluar për të gjitha grupmoshat dhe është zhvilluar nën kujdesin e klubit sportiv “Filippos” të Amyntaios, në bashkëpunim me Komunën e Amyntaios, me Federatën Greke të Xhudos dhe me rajonin perëndimor të Maqedonisë teksa ka patur një pjesmarrje të madhe sportistësh. Shqipëria është përfaqësuar në këtë turne vetëm me sportistin Xhovan Shkoza që ka konkurruar në peshën 66 kg.

Paraqitja e tij ka qenë mjaft dinjitoze. Në bazë të shortit të hedhur, ndeshjen e parë ai e ka zhvilluar me kampionin aktual të Ballkanit për kadet, me të cilin është zhvilluar një përballje e fortë dhe në fund ajo mbaroi vetëm me një rezultat të ngushtë në favor të sportistit grek që në dy-tre momente të rëndësishme të ndeshjes u ndihmua edhe nga gjyqtarët. Shkoza edhe pak kësaj humbje, ka vazhduar garën dhe më pas ka arritur të fitojë dy ndeshje rradhazi duke u renditur kështu në vendin e tretë dhe duke marrë medalje bronzi në këtë peshë. Fitues i kësaj peshe u shpall xhudisti nga Gjeorgjia Niniashvili i cili është njëkohësisht nënkampion bote për kadet, ndërsa në vend të dytë doli xhudisti grek që fitoi ndaj Shkozës. Paraqitja e këtij të fundit kësisoj është për t’u vlerësuar sepse të konkurrosh si i barabartë me sportistë që janë në nivelet më të larta europiane dhe botërore në këtë sport, nuk është pak.
Gjergj KOLA