Ndeshja miqësore në mes ekipeve të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe Studentit e luajtur pasditen e djeshme, nuk ka shkuar deri në fund. Ajo është ndërprerë në setin e katërt të saj. Shkaku ka qenë thjesht nisja me vonesë e këtij takimi dhe për rrjedhojë, volejbollistët duhej t’i lironin pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipit të basketbollit të Vllaznisë për të zhvilluar stërvitje.

Në momentin e ndërprerjes rezultati i seteve ka qenë 2-1 për Studentin por në të katërtin, pikërisht kur loja është ndërprerë, ka qenë Vllaznia në kryesim 15-11. Duket disi e çuditshme ndërprerja e miqësores por trajnerët Kalaja dhe Tomorri nuk kanë shfaqur asnjë pretendim sepse ishin të vetëdijshëm se po i prishnin punë një ekip tjetër për stërvitje.Takimi në mes Vllaznisë dhe Studentit ka qenë planifikuar të niste në orën 18.00 por ai ka filluar më 45 minuta vonesë ngaqë ekipi kryeqytetas ka ardhur vonë. Përpos kësaj, shkuarja në set të katërt bëri që ora të kalonte 20.00 (kohë kur duhej të niste stërvitjen ekipi i basketbollit) megjithatë loja ka vazhduar edhe 15 minuta më shumë por aty është ndërprerë. Në fakt një histori e ngjashme kishte ndodhur edhe pasditen e së mërkurës në ndeshjen tjetër miqësore të volejbollit Vllaznia- Drenica e Kosovës ku loja shkoi në set final dhe sërish stërvitja e ekipit të basketbollit u shty jo pak. Megjithatë në përballjen e djeshme u pa qartë se Studenti dhe Vllaznia do të jenë dy rivale të denja të njëra- tjetrës në kampionatin e ri që starton pas dy javësh.
Gjergj KOLA