Erkand Qerimaj është shpallur kampion i Shqipërinë në garat e kampionatit kombëtar të zhvilluar dje në Tiranë por jo vetëm kaq. Rezultatet e arritura si në stilin e shkëputjes ashtu edhe në atë të shtytjes kanë qenë të mira, çka treguan se kampioni I Europës në fuqi, e ka lënë pas dëmtimin që ka patur dhe tashmë po bëhet gati për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në muajin nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në stilin e shkëputjes ai ka arritur të ngrejë 145 kilogramë ndërsa në shtytje 170 kilogramë, më shumë se të gjithë të tjerët dhe për rrjedhojë, ka arritur të shpallet kampion I vendit. Nga peshëngritësit e tjerë të ekipit të Vllaznisë nuk janë pritur rezultate të larta nisur nga fakti që ata prej disa muajsh stërviten në kushte shumë të vështira ngaqë nuk kanë palestër ku të stërviten.Megjithatë, Xhulio Prroni është renditur I dyti në peshën e tij dhe është shpallur nënkampion I vendit ndërsa Gridi Jahja ka zënë vendin e tretë. Nga ana tjetër, sportisti nga I cili pritej ndonjë rezultat I mirë, Emanuel Lushi, për shkak të dëmtimit të tij në Kampionatin Europian të 21 vjeçarëve, nuk ka marrë pjesë në kampionat megjithatë ai do të jetë pjesë e kombëtares sonë në Kampionatin Botëror bashkë me Erkand Qerimajn dhe natyrisht që ky është një sukses për këtë 18 vjeçar I cili konsiderohet e ardhmja e peshëngritjes shqiptare.
Gjergj KOLA