Bayern Munich dhe Real Madridi mund të hapin bisedimet për transferimin e Alphonso Davies gjatë javëve në vazhdim.Gjiganti i Bundesligës është duke punuar për t’i propozuar një kontratë të re reprezentuesit kanadez, por asnjë progres nuk është bërë në këtë drejtim.

Kontrata aktuale e Davies në ‘Allianz Arena’ skadon në 2025, dhe Bayerni ka shprehur dëshirën që ta zgjidh situatën e tij, para se të futet në 12 muajt e fundit të kontratës në verë.

Sipas përditësimit të fundit nga Sky Germany, Bayerni i ka dhënë Daviesit një ofertë finale prej 14 milionë eurosh për sezon deri në 2029, teksa mbrojtësi po synon 20 milionë euro.Real Madridi janë duke e përcjellur situatën, por nuk janë të gatshëm të ofrojnë 50 milionë euro siç kërkojnë bavarezët.

Një raportim nga Diario AS shton se një kompromis mund të arrihet, kjo duke përfshirë ish-mbrojtësin e Real Madridit, Miguel Gutierrez, i cili momentalisht po luan në huazim tek Girona.

‘Los Blancos’ e ka opsionin për ta blerë atë për tetë milionë euro në verë, dhe mund ta ofrojë kartonin e tij tek Bayerni si pasues ideal i Daviesit, për të reduktuar çmimin e transferimit në 30 milionë euro./Telegrafi/