Abissnet Superiore çel siparin më 19 gusht, për fillimin e sezonit 2022/23. Elita e futbollit shqiptar do e luajë javën e parë në 3 ditë të ndryshme, nga e premtja në të diel. Fillimisht Kukësi përballet me kampionët e Tiranës, të premten e 19 gushtit. Sfida merr jetë nga ora 17:00 në stadiumin “Kukës Arena”.

Më pas e shtuna sheh 4 skuadra të tjera të nisin rrugëtimin e gjatë. Kështu Partizani mat forcat me Egnatian në “Elbasan Arena” prej orës 19:30, ndërsa Erzeni më herët në 17:00 pret Vllazninë në “Niko Dovana” të Durrësit.

Dita e tretë është pikërisht e diela, që vendos kundër njëri-tjetrit orën 17:00 Laçin e Teutën në Laç, Bylisin dhe Kastriotin në “Adush Muça” të Ballshit. Kujtojmë se si i ngjitur nga Kategoria e Parë është Erzeni, rikthim i së cilit vjen pas 19 viteve mungesë në Superiore. Në anën tjetër dhe Bylis, që e ka provuar mjaft herë shijen e elitës gjatë viteve të fundit.

Gara pritet të jetë mjaft e ashpër. Tirana synon të mbrojë kurorën e titullit kampion, ndërsa klube si Partizani, Vllaznia, Kukësi apo Laçi mbeten aty si gjithmonë ambiciozë./newsport/