Erë ndryshimesh te Dinamoja. Klubi i dytë më i titulluar në Shqipëri ka gjasa që të kthehet shumë shpejt në piedestalin që i takon, pasi nga dje blutë e kryeqytetit janë bërë me pronarë dhe drejtues të rinj. Merr fund drejtimi italian i dinamovitëve, pasi presidenti Marko Pontreli u hapi rrugën investitorëve të rinj. Fatmirësisht, tre janë biznesmenët shqiptarë që në bashkëpunim me drejtuesin italian do të financojnë për Dinamon.

“Panorama Sport” ka arritur të zbardhë prapaskenën se si u arrit në afrimin e tre biznesmenëve te Dinamoja, Ardian Bardhi, Gurten Papuli dhe Olger Prifti. Marko Potreli prej kohësh ishte vënë në lëvizje për të gjetur bashkëfinancues për Dinamon. Gazeta ka mësuar se italiani ka zhvilluar bisedime me disa të interesuar, por palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket menaxhimit dhe financimit të klubit.

Kushti i Pontrelit ka qenë që pagesa të bëhet direkt, por pala e interesuar nuk ka qenë gati që ta pranojë menjëherë kushtin e likuidimit. Kështu që, presidenti italian ka vijuar punën e tij për gjetjen e investitorëve të rinj për Dinamon.

Kjo lëvizje ka rënë në veshin e bashkëpresidentit të Teutës, Ardian Bardhi, i cili ka hyrë në bisedime me Pontrelin dhe bashkë me dy biznesmenët e tjerë, Gurten Papuli dhe Olger Prifti, ia kanë mbushur mendjen italianit për t’ua shitur aksionet pasi klubi të shndërrohet nga shoqatë në shoqëri aksionere. Por, edhe Marko Pontreli mbetet pjesë e grupit investues dhe në vijim do të mësohet më qartë shpërndarja e aksioneve.

Gjithsesi, investuesi madhor do të jetë Ardian Bardhi, i cili do të ushtrojë edhe funksionin e presidentit të Dinamos. “Panorama Sport” ka mësuar se Bardhi e ka gati projektin për kthimin e Dinamos së lavdishme, ku fillimisht do të punohet për kthimin në Superiore, më pas ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri me objektiva që i shkojnë për shtat klubit në elitë. Bardhi pritet që të investojë fuqishëm në çdo hallkë të klubit, duke nisur nga krijimi i një akademie model, ambienteve të klubit dhe formimin e një grupi të denjë për të synuar titullin kampion.