Vetëm pas pak ditësh, pushimet për futbollistët e Vllaznisë do të marrin fund dhe ata do t’i rikthehen sërish stërvitjes. Kjo është planifikuar të ndodhë më 12-qershor dhe 2-3 ditë më vonë, ekipi kuqeblu pritet të lërë qytetin e tij, për t’u spostuar në një kamping sportiv, ku do të zhvillojë edhe periudhën më intensive të përgatitjeve për ndeshjet e Kupave të Europës.

Drejtuesit e klubit janë duke parë disa alternativa si në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por “Shkodra Sport” ka mësuar se gjasat më të mëdha janë që Vllaznia të shkojë për stërvitje në Zllatibor të Serbisë.

Ajo ka qenë edhe para disa vitesh në këtë kamping dhe përpos kushteve të shkëlqyera që ai ofron, krijon edhe mundësinë për zhvillimin e tre-katër ndeshjeve miqësore me ekipe të rangut të lartë, të cilat zgjedhin çdo vit si destinacion këtë kamping për stërvitje.

Në fakt, nga sa mësohet se kemi të bëjmë me një kamping malor, ku natyrisht që temperaturat në këtë periudhë janë normale dhe kjo do t’i ndihmojë futbollistët për të marrë ngarkesa të larta stërvitore.

Tashmë planet po bëhen dita-ditës, por më përpara duhet plotësuar edhe skuadra me futbollistët e duhur dhe poashtu, duhet bërë edhe afrimi i trajnerit të ri që do të jetë krye të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI