Gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe kërkues, Vangjel Zguro është padyshim lideri i Skënderbeut. Futbollisti pogradecar, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te “ujqërit e dëborës”, me eksperiencën dhe grintën që e karakterizon, i ka dhënë siguri në repartin difensiv skuadrës së drejtuar nga Migen Memelli.

Në një rrëfim special për “CNA”, Zguro ka analizuar ecurinë e korccarëve në 15 javët e luajtura, teksa beson se skuadra i ka të gjitha cilësitë për të bërë më mirë në vijim. 28-vjeçari, ndër të tjera ka folur edhe për merkaton e janarit, lojtarët të cilët vlerëson më shumë te skuadra korçare, teksa dëshiron që titullin këtë sezon ta fitojë skuadra e Kukësit. Ndër të tjera, kapiteni i Skënderbet ka treguar edhe pengun më të madh në karrierë.

ECURIA E SKËNDERBEUT KËTË SEZON – Me thënë të drejtën mendoja se do të ishim pak më lartë në renditje, duke ditur grupin që kemi. Vetëm ne aty brenda e dimë më mirë se kushdo forcën tonë, mirëpo në disa ndeshje s’ka dashur fati, në disa të tjera mund të jemi penalizuar pak. Gjithsesi duhet të vazhdojmë përpara…

ASPEKTI PERSONAL- Në aspektin personal mendoj se ka shkuar mirë, asnjëherë asgjë nuk është perfekte. Mendoj se duhet të permiresoj pak impulsivitetin që kam në fushë.

AFRIMET NË MERKATON E JANARIT- Këtë e di më mirë trajneri dhe stafi, por mendoj se na duhen lojtarë që japin shpirtin në fushë dhe kjo gjë ndihmon ekipin, po ashtu dhe ata vetë të ecin sa më lartë.

SHANSET PËR NJË AMNISTI TË MUNDSHME NGA UEFA – Nuk e di se ç’mund të ndodhë! S’është se kam dijeni për këtë temë pasi vëmendja ka qenë vetëm tek kampionati.

KUNDËRSHTARI MË I FRIKSHËM- S’ka asnjë emër, s’kam asnjë kundërshtar në kampionatin shqiptar që më ka vënë në vështirësi. Këtë e them me pastërti!

CILA SKUADËR E FITON KAPIONATIN? – Si një ish-lojtar i Kukësit, dua që ta fitojë Kukësi kampionatin.

FUTBOLLISTËT ME TË ARDHME TË NDRITUR TE SKËNDERBEU- Janë shumë lojtarë të talentuar, shumica e lojtarëve, por do të veçoja Berishën, Sadriun, Vitijan dhe Marën.

PENGU MË I MADH NË KARRIERË- Para dy vitesh isha shumë afër për të luajtur në MLS (Ligën kryesore të Amërikës), por gjithçka u prish në momentin e fundit. Ai është pengu im më i madh.

URIMI PËR FESTAT – Ju uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar festat dhe sa më shumë shëndet nëpër familjet e tyre!