Kampionati austriak i futbollit mund të kthehet në veprim në fund të majit apo në fillimin e qershorit. Konfirmimi ka ardhur nga qeveria e cila i ka hapur rrugën e gjelbër kthimit të skuadrave në fushë, sigurisht me protokollet përkatëse të sigurisë.

Klubet austriake kishin filluar stërvitjet individuale prej tre javësh por pritej që të jepej lejekalimi nga qeveria që të vendosej për rifillimin e kampionatit.

Sot, Ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anshober dhe ai i Sportit, Verner Kogler, në një konferencë për shtyp kanë sqaruar se ishte marrë një vendim përfundimtar dhe se kampionati i futbollit mund të rifillonte. Që nesër do të bëhet publik kalendari për javët e mbetura, ndërsa stërvitjet kolektive nisin të premten.

Që tani parashikohet që ndeshja e parë të jetë në fillimin e muajit qershor. Tema kryesore e diskutimeve ka qenë ajo e rastit kur lojtarët rezultojë pozitiv. Tashmë është vendosur që të ndjiqet shembulli gjerman, ku në rast pozitiv, do të jetë vetëm lojtari në fjalë që do të ndërpresë stërvitjen dhe izolohet, ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të kryejë testet. Kush nuk rezulton pozitiv, do të vazhdojë normalisht aktivitetin. /vipsport/