Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në Tiranë një samit me presidentët e 11 federatave rajonale të futbollit. Drejtuesi i emisionit “Elite Show”, Gjergji Stefa, ka hedhur idenë në puntatën e radhës se ky takim mund të jetë një lobin nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për të hedhur kandidaturën për zgjedhjet për president të UEFA-s, që do të zhvillohen në vitin 2027.

“11 presidentë federatash rajonale kanë mbërritur në Tiranë, do të bëjnë një mbledhje, ku do të diskutojnë, veç të tjerash, për fondet e solidaritet, monitorimet e kompanive të basteve, por jo vetëm. Duket më së shumti si një fushatë e Lindjes kundër Perëndimit, pse jo e presidentit Duka për zgjedhjet e UEFA-s. Në vitin 2027 do të ketë zgjedhje të reja, vetvetiu lind pyetja nëse kreu i FSHF-së po përgatitet për një kandidaturë për president. Unë kam bindjen që Duka po përgatitet për të hedhur kandidaturën.”

Stefa tha se kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nuk mund të kandidojë për postin e anëtarit të Komitet Ekzekutiv të UEFA-s, por këtë e hodhi poshtë gazetari Ylli Aga.

“Mandati i kaluar i Dukës nuk ishte i plotë, pra mendoj se rregullorja nuk e ndalon Duken të kandidojë. Duhen dy mandate të plotë që të mos kesh mundësi për të kandiduar.

Pozitive që kryeqyteti ynë bëhet organizator i një mbledhjeje të tillë të drejtuesve të federatave më të rëndësishme, dhe që kanë rolin e tyre në UEFA. Pse Duka të mos i luajë të gjitha shanset e tij? Me ato vota të marra në Komitetin Ekzekutiv, mund ta tentojë.”