Idriz Batha ka marrë çmimin “Topi i Artë” nga RTSH për sezonin e kaluar teksa ishte një nga pikat më të forta të Tiranës që u shpall kampione. Në fjalën e tij, mesfushori u shpreh se vetes së tij i vendos notën 9, ndërsa preku edhe largimin e tij nga të rinjtë e Tiranës. Batha theksoi se në atë kohë pëlqehej nga trajneri Rubio, por në seleksionim nuk u përzgjodh dhe kjo sipas tij nuk erdhi për arsye teknike. Madje, kapiteni i kryeqytetasve ka menduar se ai që e kishte larguar ka qenë në atë kohë drejtori sportiv, Alban Tafaj.

“Të gjithë lojtarët, duke u përfshirë këtu edhe unë, filluam të mendonim nëse jemi për kampionë apo jo. Fitorja ndaj Partizanit në derbi na solli besimin që po ne jemi për titull. Ka disa gola të veçantë për mua. Goli ndaj Kukësit që na afroi me titullin, ai ndaj Laçit, pro edhe ai ndaj Partizanit. Ky i fundit për shkak se tifozët kishin dyshime për kalimin tim te Tirana. Vetes për vitin 2020 i vendos një notë 9. Çmimi shkon për prindërit e mi, që kanë sakrifikuar më shumë për mua. Për 2020 nuk kisha planifikuar asgjë dhe erdhën kaq shumë gjëra të bukura. Njësoj dua të jetë edhe viti 2021.

Kush më hoqi nga Tirana kur isha i ri? Kjo pyetje shtohet nga njerëzit çdo ditë. Unë e kam kërkuar shpesh që ta di, pasi e di që nuk ka qenë për arsye teknike largimi im nga të rinjtë. Në momentin kur bëhej seleksionimi, atëherë ishte trajner Rubio, i cili më kishte përzemërt. Asokohe drejtor sportiv ishte Alban Tafaj dhe mendoja se e bëri ai, i cili gjithsesi e ka mohuar”, u shpreh Batha. /VipSport/