Skerdi Bejzade është një nga ata futbollistë që ka lënë gjurmë kudo ku ka luajtur. Ish-sulmuesi i njohur i kampionatit tonë gjithmonë është një nga ata që flet “pa dorashka”. Në një intervistë për Shkodra Sport ai flet për derbin e kryeqytetit, por edhe klasiken Vllaznia – Tirana ku e cilëson si një ndeshje speciale.
– Skerdi, Tirana vjen në humor në Shkodër pas fitores me Partizanin. Si e shikuat ndeshjen derbi?
Përsa i përket derbit mendoj se Tirana e meritoi fitoren. Nga Partizani u shfaq shumë pak në fushën e lojës, nuk po kërkonin fitoren, thjesht luanin për të mos humbur. Këtë vit Tirana po tregon stabilitet dhe në këto javë që ka luajtur ka shfaqur një mbrojtje të fortë.
Megjithatë nuk i shoh të frikshëm në mesfushë apo sulm. Kam shumë miq e shokë tifozë me Tiranen dhe janë të kënaqur me skuadrën që këtë sezon luan kush e meriton dhe nuk ka lojtarë me hatër aty. Me pak fjalë s’ka më problemet e sezonit të kaluar.
– Tani një përballje klasike me Vllazninë, çfarë emocionesh mbart kjo sfidë?
Ndeshjet me Tiranen mbartin gjithmonë emocione të veçanta. Si për futbollistët ashtu edhe për tifozët. Vllaznia-Tirana kanë zhvilluar gjithmonë futboll të bukur dhe spektakolar mes tyre.
– Vllaznia si duket në syrin tuaj pas humbjes së fundit me Kukësin?
Vllaznia pas humbjes me Kukësin duhet të tregojë karakter. Nuk ka problem se humbet një ndeshje. Po ta shikosh ndeshjen rastet e para i kishte Vllaznia dhe po ti shënonte ndeshja do merrte rrjedhë tjetër. Vllaznia duhet të luajë çdo ndeshje si finale dhe nëse mendojnë se janë kampion pa mbaruar kampionati nuk do arrijnë të fitojnë më. Prandaj stafi duhet të punojë dhe ti mbajë me këmbë në tokë futbollistët.
– Do mundet Tirana të bëjë hapin e madh në Shkodër dhe të krijojë një shkëputje në krye të tabelës?
Unë nuk mendoj se Tirana do bëjë hapin e madh kundër Vllaznisë. Madje them se do pësojnë disfatë dhe do fillojnë të kenë problemet e tyre të zakonshme. Vllaznia ka lojtarë me kualitet dhe nëse këto futbollistë do jenë në formën e tyre jam i sigurt që Vllaznia do fitojë.
– Do ndikonte te trajneri Brdaric një humbje e rradhës?
Normal se nëqoftëse humbet dy ndeshje rradhazi do ndikojë tek trajneri dhe skuadra. Flas sepse pretendimet janë për kampion dhe që të dalësh kampion duhet të fitosh çdo takim. Problemi është se edhe kundërshtarët hynë më të motivuar kundër Vllaznisë dhe kjo rrit shkallën e vështirësisë.
– Si e parashikoni sfidën?
Fitore e Vllaznisë në shifrat 3-1. Pres shumë gola në këtë takim.
– Dhe në fund një mesazh për tifozët shkodranë?
Mesazhi im për tifozat e zjarrtë të Vllaznisë është që të shkojnë ta mbështesin ekipin sa më të shumtë në numër. Besoj që Vllaznia do t’iu dhurojë fitore si ato me Laçin dhe Dinamon.
Intervistoi: Endri ÇINARI







